Lajme

PSD me aksion, ia shtron tepihun e kuq ministrit Rifat Latifit në QKUK

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar sot një aktivitet në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, meqë rast i ka shtruar një tepihë të kuq Ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifit.

PSD-ja ka thënë se ndoshta përmes këtij tepihu e bindin ministrin të ja fillojë punës, sepse deri më tani nuk ka bërë asgjë.

“E dimë që shëndetësia ka shumë probleme. As nuk presim ato të adresohen menjëherë. Problemi është që puna as nuk ka nisur. Ministri nuk po shihet e angazhimi i tij s’po vërehet. Ne kemi sjellë këtë tepih të kuq për të. Ndoshta kështu do ta bindim që t’ia fillojë punës, mbase nxitet nga luksi e glamuri. Sepse deri më tani kemi parë një ministër i cili është totalisht jashtë realitetit.”, shkruhet në komunikatën e PSD-së.

Sipas PSD, QKUK është vendi ku secili qytetar e ka vërejtur se nuk ka pas ndonjë zhvillim nga qeveria e “shpresës e 14 shkurtit”.

“Të gjithë e dimë, në spitale asgjë s’ka ndërruar. Sepse ndryshimi nuk është propagandë as poezi. Ndryshimi përnjëmend është shëndetësi më cilësore, shëndet më i mirë i qytetarëve. Gjendja në QKUK sot është veç ma e rëndë: mungesë barnash thuajse menaxhimi i barnave është fizike kuantike, aparaturat s’punojnë ose u hyn uji, pacientët në lista të gjata të pritjeve”, shkruhet në komunikatën e tyre.

Ditë më parë PSD-ja morri edhe një aktivitet tjetër duke gjuajtur me miell Ministrin e Financave, Hekuran Muratin.

Ky aktivitet u organizuar si kundërshtim i vendimit të Ministrisë së Financave për të ndaluar pagat e grevistëve./Shqip.com