Lajme

PSD-ja e quan ‘legalizim të strukturave paralele’ marrëveshjen për dokumente personale

Sot gjatë ditës së marte, Partia Socialdemokrate ka zhvilluar aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës si shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet personale.

Me pankartën e madhe me mbishkrimin “Strukturat paralele u legalizuan, rroftë Qeveria”, PSD-ja kritikoi Qeverinë se Serbia po iu lëshon serbëve të Kosovës dokumente identifikimi, me mbishkrimin “Departamenti i Policisë për: Mitrovicën e Kosovës, Prishtinë, Pejë, etj”.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, konsideron se marrëveshja e fundit me Serbinë për letërnjoftime është e dëmshme për Kosovën.

“Dialogu Kosovë-Serbi ka pësuar goxha disa ndryshime e zhvillime por në pjesën dërrmuese janë negative. Është hera e parë që kemi dakordim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra janë marrë vesh e nuk kanë treguar për çka janë marrë vesh por e kanë bërë një marrëveshje që në fakt është e dëmshme sepse marrëveshja e re i ka legalizuar e i ka pranuar dokumentet e strukturave paralele të Serbisë”, tha Molliqaj. 

Borrell: Serbia ka vendosur t’i pranojë dokumentet e Kosovës

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josef Borrell ka bërë të ditur se tashmë është arritur marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë sa i përket përdorimit të letërnjoftimeve nga ana e qytetarëve të këtyre dy shteteve.

Borrell tha se serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

Sipas tij, BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane./Shqip.com