Lajme

PSD: Arrestimet e djeshme të jashtëligjshme, të lirohen aktivistët

Arrestimet e djeshme në protestën e organizuar kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, nga aktivistë të Partisë Social Demokrate po konsiderohen si të padrejta dhe të jashtëligjshme nga ky subjekt.

Anëtari i kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj tha se vepra për të cilën po dyshohen aktivistët është “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, për çka tha se aty është përdorur vetëm tymues dhe mjete piroteknike.

Ai shtoi se pas ekzaminimit të protestës, forenzika i ka vendosur si provë edhe bombolat e gazit, që të njëjtat sipas tij janë përdorur edhe nga ana e Policisë së Kosovës.

“As pronë private nuk është dëmtuar prej protestës tonë. Kanë qenë vetëm aktivistët tanë të cilët disa prej tyre kanë marrë trajtim mjekësor madje edhe këtu në zyrat e partisë… që kanë qenë të cenuar fizikisht nga përdorimi jo proporcional i forcës nga ana e Policisë… Gjashtë aktivistë tanë dje janë arrestuar dhe sot janë në burg për arsyen e vetme sepse kanë protestuar. Protesta është një prej të drejtave kryesore politike që i njihet qytetarëve të demokracive zhvillimore. Ne dje të vetmen gjë që e kemi bërë, e kemi shprehur kundërshtinë tonë ndaj një gjykate të cilën ne dhe shumë qytetarë të Republikës së Kosovës e cilësojnë si të padrejtë… Ata persona që janë, Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi, Gent Brahimi, sot janë në qendrat mbajtëse, mbrëmë e kanë kaluar natën në stacione policore”, tha Kukaj.

Kuka e quajti skandal faktin se krahas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së djeshme në arrestim u përfshi edhe sigurimi i hotelit ku ka qëndruar Trendafilova.

Përmes konferencës për media, Kuka kërkoi lirimin e aktivistëve nga mbajtja. Ai u bëri thirrje policisë, prokurorisë që “para se t’i shikojnë ndjeshmëritë politike, t’i kuptojnë faktet dhe të drejtat”, që sipas tij iu takojnë atyre.

/Shqip.com