Lajme

PS hedh në votim dy nënkryetarët/ Kujt do t’i besohet drejtimi i bashkisë së Himarës?

Këshilli Bashkiak i Himarës pritet të vendosë të premten e 29 marsit se kush do ta drejtojë bashkinë pas arrestimit të Jorgo Goros.

Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria janë dy kandidatët që vijnë nga radhët e socialistëve që pritet të votohen nga 21 anëtarët e këshillit bashkiak.

Duket sikur të majtët nuk do e kenë të vështirë të mbledhin votat e këshillit, pasi 11 nga anëtarët e këshillit pritet të votojnë pro Balës ose Gjikurisë.

Konkretisht Socialistët kanë 9 anëtarë në këshillin bashkiak, ndërsa të kontaktuar nga mediat votën pro e deklaruan Milto Nika nga Partia Social Demokrate dhe Maksi Vlashi nga MEGA.

Ndërkohë anëtari i Aleancës Arbënore Kombëtare nuk do të mund të votojë pasi ndodhet në konflikt interesi.

Ndërkohë votën e tij nuk pranoi ta deklaronte anëtari i LZHK-së Qirjako Mërkuri.

Ndërkohë 7 anëtarët e dalë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë’ dhe 1 anëtar i Partisë Demokratike pritet të votojnë kundër.

E para e listës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kryetarja e degës së PD-së Himarë, Afrovita Dhimojani tha se drejtimin e bashkisë duhet ta marrë një person i dalë nga koalicioni fitues dhe jo nga PS.

E vetmja zgjidhje provizore është që drejtimin duhet ta marrë një nga këshilltarët të koalicionit fitues, çdo individ i emëruar politik nuk do pranohet nga ne si këshilltar dhe as nga komuniteti“, tha ajo.

Nëse socialistët zgjedhin një prej 2 nënkryetarëve të tyre Dhimojani nga PD paralajmëron protesta për të bllokuar atë që ajo e quan skenë të turpshme politike të kryeministrit Edi Rama.

/Shqip.com