Lajme Ballkan

Protestuesit në Shqipëri: Rama deri të hënën duhet të shkarkojë dy ministrat e Qeverisë

Në Shqipëri gjatë pasditës së sotme është mbajtur një protestë lidhur me vrasjen e 7-të vjeçares që ka ndodhur dy ditë më parë në plazhin e Potamit në Himarë.

Kjo protestë ka zgjatur për afro 1 orë e 40 minuta, ku shume qytetarë kanë kërkuar përgjegjësi nga ana e Qeverisë lidhur me ketë ngjarje.

Fillimisht qytetarët u grumbulluan para Ministrisë së brendshme, për të vijuar më pas drejt kryeministrisë dhe Presidencës.

Protestuesit kanë pasur një kërkesë kryesore në drejtim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ata kanë kërkuar nga Rama që deri të hënën të shkarkohen nga detyra dy ministrat e kabinetit qeveritar, raporton Abcnews.

Protestuesit kanë kërkuar shkarkimin e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano.

Nëse Edi Rama nuk respekton dhe dëgjon kërkesat e tyre, protestuesit kanë paralajmëruar rikthimin në sheshet e Tiranës të hënën.

Kjo protestë ka nisur nën moton: “Nuk e vrau varka, por shteti”./Shqip.com