Lajme

Protestuesit hodhën molotov drejt bashkisë së Tiranës, ambasadat dënojnë aktet e dhunës: S’kanë vend në demokraci

Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri kanë reaguar lidhur me protestën e organizuar sot nga grupimi i Sali Berishës dhe Partia e Lirisë para Bashkisë Tiranë.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Delegacioni i Bashkimit Europian ka qenë gjithashtu i ashpër në reagimin e shpërndarë për mediat. BE shprehet se akte të tilla dhune nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete ndezëse të improvizuara në godinën e bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagim.

Edhe ambasada Britanike ka reaguar pas protestës së sotme të Rithemelimit përpara Bashkisë së Tiranës. Ambasada e Britanisë së Madhe shprehet se skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejleve Molotov nuk kanë vend në demokraci.

“Skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci. Ambasada britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit”.

Pas ambasadës amerikane të BE-së dhe asaj britanike në Tiranë, ka reaguar edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Në reagimin e Prezencës së OSBE në vendin tonë thuhet se protesta paqësore është një akt demokratik, por dhuna jo.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës. Protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo”, thuhet në reagim.

Edhe ambasada e Italisë në Tiranë ka reaguar duke u shprehur se dhuna në një protestë është e pajustifikueshme. “Ambasada e Italisë në Tiranë dënon aktet e dhunës të kryera sot gjatë protestës së zhvilluar para Bashkisë Tiranë. E drejta për t’u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”.

Kjo nuk është hera e parë që opozita, pjesa e Rithemelimit ka protestuar në derën e Bashkisë. Ky aksion i tyre ka nisur pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni për abuzim me detyrën për dosjen ‘5D’.

Lexo edhe:
VIDEO/ Protestuesit hedhin bomba motov drejt bashkisë së Tiranës, përplasje edhe me policinë

/Shqip.com