Lajme

Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritje të pagave

Pamje nga protesta e punëtorëve të KEK-ut

Qindra punëtorë të KEK-ut protestuan sot para zyrave qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës, duke kërkuar rritjen e pagave.

Të organizuar nga Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës, ata akuzuan edhe për keqpërdorime bordin ekzekutiv të KEK-ut.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhar Llumnica, tha se janë mashtruar për rritje pagash.

Madje shtoi se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, duke paralajmëruar edhe grevë nëse nuk marrin përgjigje.

“Ne shprehin pakënaqësi dhe prodhojmë energji elektrike. E di që ndoshta nuk jeni të kënaqur me neve, por disa individë e sidomos Bordi i KEK që na ka gënjyer që në fund të prillit të bëhet diçka. Në fund na thanë se në fund të majit do të kemi një shpërblim, por jo, ne po kërkojmë rritje pagash dhe jo shpërblim”, tha Llumnica.

Kurse Ali Gashi nga BSPK, i quajti heronj punëtorët e KEK-ut. Ai tha se falë tyre, Kosova po ndriçohet.

/Shqip.com