Lajme

Protestë në Prishtinë në mbështetje të Palestinës

Në Prishtinë pritet të mbahet një marsh me qëllim të solidarizimit me popullin palestinez.

Ky marsh do të organizohet nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist dhe do nis nga ora 17:30 nga sheshi Zahir Pajaziti dhe vazhdon deri te Qeveria e Kosovës.

“Për më shumë se një muaj, Izraeli është duke e mbajtur nën terror popullin palestinez. Vetëm brenda kësaj periudhe, shteti izraelit ka vrarë mbi 11 mijë palestinezë prej tyre rreth 4,000 fëmijë, ka bombarduar spitale, ka dëbuar, burgosur e lënë pa ushqim, rrymë e shërbime tjera elementare, duke ua bërë jetën të papërballueshme shumicës tjetër që vazhdojnë të jenë gjallë në Gaza dhe Bregun Perëndimor”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas kësaj organizate, dhuna sistematike dhe masakrimi i popullit palestinez është episodi më tragjik i njerëzimit në këtë shekull, dëshmitare/ë të se cilës jemi të gjitha/ë.

“Një popull i tërë, toka e të cilëve është kolonizuar, është duke u mbajtur nën terror. E përderisa ky popull, gjysma e të cilit në Gaza janë fëmijë, po gjëmon nga vuajtjet, ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur a të paanshëm. Ne nuk mund t’i mbyllim sytë karshi vrasjes e torturimit të tyre. Neve nuk duhet e as nuk mund të na heshtin propagandat dhe rreshtimet e institucioneve dhe shteteve evropiane në anën e Izraelit gjenocidal. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin palestinez dhe çdo civil të pafajshëm izraelit. Megjithatë, ndonëse kundërshtojmë politikat dhe krimet e Hamasit, ne nuk i bashkojmë zërat tanë me ata që në emër të barazimtarëve janë duke u shndërruar në financues të gjenocidit ndaj Palestinës”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, ka denoncuar qëndrimet zyrtare të shtetit të Kosovës për siç kanë thënë pozicionin pro-gjenocidal, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndryshim të kursit politik shtetëror.

/Shqip.com