Lajme

Protestat e paralajmëruara të serbëve, Policia e Kosovës del me njoftim

Policia e Kosovës / Foto: Visar Loku

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është duke u angazhuar për ndërmarrjen e masave konform situatës në Veri të Mitrovicës.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, në njoftim theksohet se policia parasheh planet operacionale për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike në rastet e mbarëvajtjes së protestave apo tubimeve.

“Plani operacional i PK-së parasheh ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestave/tubimeve të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftimin e Policisë së Kosovë.

Qytetarët ftohen që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve, të çfarëdo forme qofshin ato, thuhet mes tjerash në njoftimin e PK-së, në rrjetin Facebook.

Kujtojmë, se gjatë ditës janë paralajmëruar protesta nga komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës.

/Shqip.com