Lajme Ballkan

“Protesta në Shqipëri u organizua nga politikanët e Kosovës”

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, thotë se “kaosi dhe egërsia e sotme në Shqipëri” u drejtua prej politikanëve nga Prishtina.

“Ata nuk do të kenë sukses në këtë, pasi nuk arritën ta ndalin presidentin Vuçiq sot në Tiranë, sepse vizioni i tij për Ballkanin e Hapur dhe një rajon të begatë do t’i mposhtë të gjithë ekstremistët dhe armiqtë e paqes dhe stabilitetit”, tha Petkoviq.

Lexo edhe:
Berisha për Shqip.com: Open Balkan është pro Serbisë e Rusisë dhe kundër Procesit të Berlinit

Gjatë protestës së thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kundër ‘Open Balkan’ dhe vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Tirani, ndodhi edhe një incident. Protestuesit dogjën një flamur serb.

E sipas Petkoviqit, “protestuesit jo vetëm që i vunë zjarrin flamurit serb, por donin t’i vinin zjarrin rajonit dhe ta kthenin Ballkanin Perëndimor në fuqi baruti”.

Më tej, ai është shprehur se “përderisa presidenti Vuçiq angazhohet për bashkëpunim rajonal, paqe dhe stabilitet përmes nismës ‘Ballkani i hapur’, grupet ekstremiste po përpiqen në çdo mënyrë ta ndalojnë atë në atë rrugë”.

Ndryshe, një numër i madh i njerëzve janë mbledhur të hënën e 20 dhjetorit para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë për të kundërshtuar ardhjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Protestës i është bashkuar edhe thirrësi i saj, ish-kryeministri Sali Berisha.

Kryeministri Edi Rama do të presë sot në Tiranë presidentin Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për takimin e radhës së “Open Balkan”.

Ish-kryeminstri Sali Berisha thirri mbështetësit në protestë para Kryeministrisë, pasi sipas tij ardhja e presidentit serb është “kërcënim për interesat e vendit tonë”./SHQIP.com