Lajme

Protesta e opozitës në Shqipëri e merr vëmendjen e mediave ndërkombëtare

Protesta e opozitës në Shqipëri kundër Qeverisë Rama, 11 shkurt 2023 -REUTERS/Florion Goga

Sot në Shqipëri është mbajtur protesta e opozitës para kryeministrisë, ku mijëra qytetarë kishin shkuar nga e gjithë Shqipëria për të dërguar mesazhin në drejtim të Qeverisë Rama.

Protesta anti-qeveritare e kësaj të shtune është përcjellur me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe ndërlidhje me ish-zyrtarin e FBI-së, McGonigal.

Zhvillimet e ditës së sotme në Shqipëri, kanë bërë jehonë edhe në mediat e mëdha ndërkombëtare.

Mediat e huaja Reuters, Independent, The Washington Post, Us News, Associated Press, kanë shkruar se me mijëra qyetarë të Shqipërisë kanë protestuar me parullat për rrëzimin e një qeverie të korruptuar dhe që javëve të fundit është e implikuar me ish-agjentin e arrestuar të FBI-së, Charles McGonigal.

Reuters e ka titulluar protestënOpozita shqiptare proteston kundër korrupsionit dhe varfërisë”, duke theksuar se “mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën të shtunën para kryeministrisë shqiptare duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për korrupsion dhe duke protestuar kundër kostos së lartë të jetesës që po i detyron njerëzit të largohen nga vendi.

Protestuesit, të udhëhequr nga lideri i opozitës Sali Berisha, hodhën fishekzjarre në hyrje të zyrave të qeverisë ku qindra oficerë policie me mjete kundër trazirave bllokuan protestuesit të hynin në ndërtesë”, ka shkruar Reuters.

Foto nga artikulli i Reuters

The Washington Post po ashtu i ka dedikuar një artikull protestës së mijëra qytetarëve në Tiranë që kërkuan rrëzimin e qeverisë Rama duke i kushtuar rëndësi të veçantë lidhjeve të kryeministrit shqiptar me McGonigal.

“Opozita akuzon Ramën gjithashtu se ka korruptuar Charles McGonigal, një ish-zyrtar i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, i cili akuzohet në Shtetet e Bashkuara se ka fshehur nga FBI detajet kryesore të një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me një ish-zyrtar të inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se t’i kishte dhënë të paktën 225,000 dollarë.

McGonigal u takua me kryeministrin e Shqipërisë dhe kërkoi favorizim në dhënien e licencave të shpimit në fushat e naftës në vend për kompanitë ruse. Rama e ka pranuar takimin me McGonigal, por ka mohuar akuzat se i ka dhënë para ose trajtim preferencial. Berisha bëri thirrje për një tjetër protestë në parlament të hënën”, përfundon Washington Post.

Foto nga artikulli i The Washington Post

Associated Press është ndalur më shumë tek rasti konkret, ai i bashkëpunimit të Qeverisë Rama me ish-agjentin e arrestuar të FBI-së, Charles McGonigal.

“Opozita akuzon gjithashtu Ramën për korruptimin e Charles McGonigal , një ish-zyrtar i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, i cili akuzohet në Shtetet e Bashkuara se ka fshehur nga FBI detajet kryesore të një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me një ish-zyrtar të inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se t’i kishte dhënë të paktën 225,000 dollarë.

McGonigal u takua me kryeministrin e Shqipërisë dhe kërkoi kujdes në dhënien e licencave të shpimit të fushës së naftës në vend për kompanitë ruse të frontit. Rama e ka pranuar takimin me McGonigal, por ka mohuar akuzat se i ka dhënë para ose trajtim preferencial”, shkruan Associated Press.

Foto nga artikulli i Associated Press

Ndërsa Independent ka shkruar se “mijëra mbështetës të opozitës politike shqiptare morën pjesë në një protestë antiqeveritare të shtunën, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit për korrupsion të dyshuar dhe keqpërdorim të ekonomisë së vendit të vogël ballkanik.

Sali Berisha, një ish-president dhe kryeministër i Shqipërisë që drejton Partinë Demokratike të qendrës së djathtë dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili drejton Partinë e Lirisë së majtë, ishin mes protestuesve që u mblodhën para ndërtesës kryesore të qeverisë me pankarta dhe bërtitën që kryeministri Edi Rama i Partisë Socialiste të qendrës së majtë në pushtet të japë dorëheqjen”, thuhet në shkrimin e Independent.

Foto nga artikulli i Independent

Po ashtu, medium amerikan, US News, duke shkruar për protestën në Shqipëri të opozitës, ka vendosur theksin tek korrupsioni dhe varfëria.

Foto nga artikulli i US News

Kujtojmë se, në përfundim të protestës së sotme, organizatorët kanë paralajmëruar për ditën e hënë para Kuvendit të Shqipërisë një protestë tjetër, kundër Qeverisë Rama.

/Shqip.com