Lajme

“Propozuam heqjen e orës policore dhe maskës kur ecni vetëm”, AKK-ja tregon se çka diskutuan në takim me MSh-në

Foto nga takimi virtual i AKK-së me ministren Gexha-Bunjaku

Kryetarët e Komunave kanë mbajtur një takim virtual me Ministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, për të diskutuar lidhur me pandeminë COVID-19 me theks të veçantë për zbatimin e masave dhe vlerësimin e situatës së deritashme.

Në këtë takim, Asociacioni i Kryetarëve të Komunave njofton se ka kërkuar që në ambiente të jashtme të lejohet tubimi deri në 50 persona të vaksinuar si dhe të hiqen maskat kur një person vetëm është duke ecur.

Po ashtu është kërkuar që të shikohet mundësia e heqjes së orës policore dhe të vazhdoj furnizimi i Komunave me barna esenciale.

“Në anën tjetër Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkoi që me datën 18 tetor (një ditë pas zgjedhjeve të 17 tetorit – ditën e zgjedhjeve lokale) të mos mbahet mësimi por të dezinfektohen shkollat meqë aty pritet të mbahen votimet dhe atë me buxhet të siguruar nga niveli qendror për komunat meqë mjetet komunale në shërbime dhe mallëra janë në limite të vogla”, thuhet në njoftimin për media të AKK-së.

Në anën tjetër, Ministrja Bunjaku, ka njoftuar kryetarët se ka pasur takime me Grupin e Ekspertëve Shëndetësor dhe përfaqësuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) për të vlerësuar situatën dhe masat e deritashme si dhe kanë pranuar raportin javor.

May be an image of 7 people, screen and text

“Sa i përket vaksinimit, Ministrja informoj Kryetarët e Komunave se deri tani për moshat mbi 16 vjet janë vaksinuar 67.5% e popullatës me dozën e parë dhe 47.6% me dozën e dytë”.

“Në anën tjetër ka një rënie dhe stabilizim të situatës me infeksionet dhe përhapjen me virusin e pandemisë Covid-19.

Andaj vlerësim i përgjithshëm është që këto masa të vazhdojnë edhe për dy javët e ardhshme sidomos tani që ka nis shkolla dhe kemi fushatën për zgjedhjet lokale me 17 tetor”.

Në fund, Ministrja Bunjaku ka kërkuar edhe nga Inspektoratet dhe Policia që të sforcojnë aktivitetet në zbatimin e masave kundër kësaj pandemie të cilat janë në fuqi./SHQIP.com