Lajme

Propozohet zëvendësimin e masës së paraburgimit ndaj Pantiqit

Dejan Pantiq

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të bëjë zëvendësimin e masës së paraburgimit ndaj Dejan Pantiqit.

Kjo është bërë e ditur nga vetë PSRK-ja përmes një njoftimi për media.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Sipas kësaj prokurorie, Dejan Pantiq nuk u dërgua asnjëherë në paraburgim ashtu siç kërkohet me ligj edhe pse i ishte caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se në bazë të kërkesës së kësaj prokurorie, më 12.12.2022, Gjykata Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit Dejan Pantiq, ka caktuar masën e paraburgimit për veprën penale “Sulm terrorist”. Edhe pse kundër të pandehurit ka ekzistuar vendim për caktim të paraburgimit, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, i njëjti asnjëherë nuk u dërgua në paraburgim ashtu siç kërkohet me ligj”

Për shkak të gjendjes shëndetësore të Pantiqit, EULEX-i ka rekomanduar trajtim në një qendër spitalore dhe sipas PSRK-së, as ky rekomandim nuk u realizua.

“Pas vizitave të ekipeve mjekësore të Eulex-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë  shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua”.

Dejan Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kryer sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

/Shqip.com