Kulturë

Promovohet libri “Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit”, nga Evarest Beqiri

Në ditën e 180-vjetorit të lindjes së themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlora, në mjediset e universitetit “Luarasi” u promovua libri “Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit, i sudiuesit Evarest Beqiri.

Autori Beqiri, që e nisi karrierën e tij akademike në universitetin “Luarasi”, ku dha leksione për 9 vite, u shpreh se kjo kohë ishte shtysë për të shkruar këtë libër, të cilin e bazoi në një sërë dokumentesh historike.

Për rektorin e universitetit “Luarasi” Prof. Dr. Et’hem Ruka ky libër i sjellë me përgjegjësi të plotë nga Evarest Beqiri i dedikohet Atit të Kombit, i shkruar me një stil tërheqës dhe elegant, me të dhëna të shumta, të rralla e të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare, shkruan BalkanWeb.

Publicisti Aleksandër Çipa, njëherësh anëtar Bordi i “Hysenbelliu Group” u shpreh se profili që e paraqet autori në mënyrën e narracionit vetjak është një nga modulet e shkëlqyera të skalitjes së një personaliteti si Ismail Qemali.

Profesorja Nevila Nika, ish-drejtore e Arkivit të Shtetit shprehet se autori Evarist Beqiri ia ka dalë më së miri të përcjellë tek lexuesit me shumë vërtetësi, figurën qendrore të historisë sonë kombëtare, atë të Ismail Qemal Vlorës, Babait të Pavarësisë, në rolin e tij si Lider ose thënë ndryshe si Prijës i Kombit.

/Shqip.com