Kulturë

Promovohet libri “Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”

Në Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme në “Kino Armata” do të promovohet libri “Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”.

“Fëmijëri të rrëmbyera” është libër i rrëfyer nga 10 prindër e familjarë të fëmijëve të vrarë apo të zhdukur në luftë, dhe nga 2 fëmijë të rritur pa prindër si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Sipas njoftimit, ky vëllim shfaq përvojat e fëmijëve në luftë në kujtesën kolektive, për të lehtësuar adresimin e heshtjes sistematike dhe përgjithësimet në tregimin për luftën e fundit në Kosovë.

“Ngjarja do të hapet me shfaqjen e intervenimit audio-muzikor dedikuar të pagjeturve nga lufta të titulluar ‘The Vanished’ (prodhuar nga forumZFD programi në Kosovë) – me regji të Lum Çitaku, kompozim dhe performim nga Liburn Jupolli, me përcjellje të Arta Jashari në Soprano dhe Edita Pozhegu në recital të poezisë ‘The Vanished’ nga Hans Magnus Enzenberger”, thuhet në njoftimin e Kino Armatës.

Ndërkaq, promovimi i librit do të nis me fjalë hyrëse nga Bajram Qerkini, drejtor ekzekutiv i Qendrës Burimore të Personave të Zhdukur dhe Nehari Sharri, Drejtor i forumZFD programi në Kosovë, që do të përcillet me diskutimin në panel të titulluar ‘Fëmijët e Kosovës: Histori të heshtura të luftës’.

Libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera’ është realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë.