Lajme

Prokuroria thotë se po heton vdekjen e kosovarit në “Zhan Mitrev”

Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë së Veriut bën të ditur se hetimet për rastin që ka ngritur familja Gjakova nga Kosova kundër spitalit privat në Shkup “Zhan Mitrev”, janë në vazhdim e sipër.

Në prill të këtij viti, familja Gjakova ka ngritur kallëzim penal kundër spitalit në fjalë të kardiologjisë dhe stafit të tij mjekësor për, siç është thënë, trajtim joadekuat të djalit të saj, Edon Gjakova, raporton Radio Evropa e Lirë.

Djali i Sanijas, Edoni, 43 vjeç, ka vdekur në dhjetor të vitit të kaluar, pas, siç thotë e ëma, një trajtimi prej rreth dy muajsh në “Zhan Mitrev”.

Ky spital ka përbërë tituj lajmesh këtë javë, pasi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka nisur hetime kundër tij, nën dyshimet për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve që kanë vdekur, përfshirë disa të sëmurë me sëmundjen COVID-19.

Hetimet kanë nisur pasi rrjeti i gazetarisë hulumtuese, IRL, ka transmetuar më 18 korrik një emision me titull “Gjaku i papastër”.

Sipas këtij hulumtimi, dyshohet se pacientët që kanë pësuar, i janë nënshtruar filtrimit të gjakut, si pjesë e një eksperimenti.

Ky trajtim, sipas IRL-së, ka infektuar dhjetëra pacientë “me baktere vdekjeprurëse”, ndërsa spitali e ka aplikuar pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

“Zhan Mitrev”, institucion privat i shëndetësisë i emëruar sipas kardiokirurgut që e drejton atë, rastet e pacientëve me COVID-19 i ka trajtuar me metodën e hemofiltrimit, që në shumë raste ka rezultuar fatale për ta.

Spitali privat, “Zhan Mitrev” ka pasur disa lloje ofertash nga 3 mijë, 4 mijë apo 5 mijë euro për metodën e hemofiltrimit. Në disa raste kjo metodë ka rezultuar fatale për pacientët të cilët, pasi kanë pastruar gjakun, janë infektuar me disa lloje të baktereve, e për pasojë edhe kanë vdekur. Klinika është në pronësi të mjekut me të njëjtin emër Zhan Mitrev, për të cilin IRL-ja thotë se “është një akademik i rremë dhe shumica e njohjeve me të cilat ai mburret mund të blihen për para”./Shqip