Sport Shqiptar

Prokuroria Themelore në Gjilan kërkon caktim të masës së paraburgimit për dy personat e arrestuar në ndeshjen Gjilani – Ballkani

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se të dielën janë ndaluar për 48 orë dy persona me dyshimin për përfshirje në incidentin gjatë ndeshjes Gjilani-Ballkani.

Njoftimi u bë përmes një komunikate për media, duke iu referuar incidentit të ndodhur dje në portierin e musafirëve – Stivi Frashëri.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, me datë 03.04.2022, ka ndaluar për 48 orë dy persona, F.R dhe B.K, për shkak të dyshimit se secili veç e veç kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 par.1 të KPRK-së”.

“Sot, me datë 04.04.2022, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj F.R dhe B.K, për shkak të dyshimit se secili veç e veç kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 par.1 të KPRK-së”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit me datë 03.04.2022 rreth orës 15.20h, në Gjilan, në Stadiumin e Qytetit, përderisa zhvillohej ndeshja futbollit në mes të SC-Gjilani dhe KF Ballkani, nën pretekstin kinse të festimit të golit të barazimit, hyn në fushën e futbollit, bashkë me një turmë të madhe tifozësh, ku bëheshin veprime huligane me gjuajtje sendesh dhe fishekzjarrë, derisa njëri i pandehur e shtyn dhe e rrëzon për toke, tjetri e godet me shqelm në fytyrë të dëmtuarin S.F, i shkakton lëndime trupore dhe rrezik të përgjithshëm për eskalimin e situatës”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Përndryshe, gardiani i Ballkanit është në gjendje stabile shëndetësore siç u bë e ditur nga klubi suharekas dhhe vetë lojtari. /Shqip.com