Lajme

Prokuroria Speciale: Janë ngritur 33 aktakuza për krime lufte ndaj 89 personave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku prokurorja Drita Hajdari ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale deri tani ka ngritur gjithsej 33 aktakuza për krime të luftës, duke përfshirë 89 persona.

“Siç e dini kompetencën e ka pasur UNMIK-u e pastaj EULEX-i, Prokuroria Speciale ka marrë kompetencat diku në fillim të 2016 për ti pranuar të gjitha rastet fizikisht në 2018, në mesin e këtyre aktakuzave ka qenë edhe rasti për Mejën e shumë raste të tjera. Deri tani prokurorët vendor kanë ngritur 33 aktakuza me 89 persona”, ka thënë ajo.

Prokurorja Hajdari ka theksuar se kjo është një sfidë e madhe për shkak të faktit se shumica e të akuzuarve nuk kanë qenë në Kosovë, por janë në Serbi.

Megjithatë, ajo ka deklaruar se hetimet janë zhvilluar me sukses, duke siguruar prova dhe dëshmi relevante, përfshirë edhe nga Tribunali Ndërkombëtarë Penal për Ish-Jugosllavinë.

“Me marrjen e kompetencave ishim ballafaquar me probleme të shumta sidomos me rrethanën se kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë shumica prej tyre kanë qenë në Serbi dhe viktimat e dëshmitarët janë në Kosovë dhe kjo ka paraqitur një vështirësi të madhe për ngritjen e aktakuzave sepse nuk kemi mundur të ngrijmë akuza pa i marrë në pyetje të pandehurit, po kjo rrethanë nuk ka ndalur, ne i kemi zhvilluar hetimet i kemi siguruar provat i kemi intervistuar dëshmitarët madje i kemi siguruar edhe provat relevante nga Tribunali Ndërkombëtarë Penal për Ish-Jugosllavinë”, ka deklaruar tutje Hajdari.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka theksuar se pavarësisht sfidave të mëdha që paraqet tema e krimeve të luftës në Kosovë, prokuroria do të vazhdojë pa u ndalur në ndjekjen e këtyre shkeljeve të rënda të drejtësisë.

Ai ka shprehur vendosmërinë e Prokurorisë për të siguruar drejtësi dhe për të trajtuar me seriozitet çështjet e rëndësishme për popullin e Kosovës.

Isufaj ka theksuar se, me gjithë kohën që ka kaluar, Prokuroria vazhdon të kryejë detyrën e saj me përgjegjësi ndaj ligjit dhe drejtësisë.

“Do të flasim për një teme sfiduese për fushën tonë dhe te ndjeshme për mbarë popullin tonë. Përkundër faktit se ka kaluar një kohë e konsiderueshme dua të siguroje se prokuroria do vazhdoj pa u ndaluar me ndjekjen e krimeve të luftës përkundër vështirësive qe na presin”, ka deklaruar Isufaj.

/Shqip.com