Lajme

Prokuroria në Prizren ngritë aktakuzë ndaj përmbarueses private, dyshohet se keqpërdori detyrën zyrtare

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër një gruaje e cila dyshohet se në cilësinë e përmbarueses private i ka kaluar kompetencat zyrtare të saj.

Përmes një njoftimi të Prokurorisë, thuhet se e dyshuara ka dëmtuar persona tjerë me qëllim të përfitimit për vete ose person tjetër.

“Sipas aktakuzës, e pandehura S.K., si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitoj dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër, në atë mënyrë që me datë 22.12.2021 rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G., nga fshati Studenqan – Komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” duke mos qenë pronë e të dëmtuarit por pronë e tani të ndjerit H.B.”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Sipas Prokurorisë, me këto veprime e pandehura ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së./Shqip.com