Lajme

Prokuroria me aktakuzë ndaj personit që dyshohet se mori rryshfet dhe dëmtoi një varr në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër një personi nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrje e rryshfetit” si dhe “Dëmtimi i varreve apo kufomave”.

Përmes një komunikate për media, thuhet se në këmbim të parave ka dëmtuar një varr.

“I akuzuari B.K., në cilësinë e personit zyrtar si nëpunës i kompanisë regjionale për mbeturina ‘’Eko Regjioni Sh.A.’’  të dëmtuarit N.B., nga Prizreni i kërkon shumën e parave prej 150 € (njëqind e pesëdhjetë euro) me kusht që t’ia sigurojë hapësirën për varrimin e bashkëshortes së tij të ndjerë, me ç’rast i dëmtuari pranon kërkesën e tij dhe i akuzuari merr shumën prej 150 €.”, thuhet në njoftimin e PK-së

Demtimi i varrit është bërë në atë mënyrë që të varroset në të njëjtën hapësirë bashkëshortja e të dëmtuarit.

“Po ashtu, i njëjti pa autorizim gërmon, mih, rrënon, heq, dëmton, shkatërron ose përdhos varrin e së ndjerës Sh.T., e cila ka ndërruar jetë në vitin 2001, në atë mënyrë që në hapësirën e varrit të së ndjerës në fjalë, varros kufomën e së ndjerës tjetër H.B.”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, personi i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.​/Shqip.com

Shënim: Personat e apostrofuar në tekst, cilësohen të pafajshëm deri në vendim të gjykatës.