Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për Tush Frrokajn

Prokuroria Themelore në Pejë, ka kërkuar të caktohet masa e paraburgimit ndaj të Tush Frrokajt, i dyshuar për vrasje në Klinë.

Këtë e bëri të ditur për Dukagjinin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikqi.

Ai tha se sot do të mbahet seanca ku do të shqyrtohet kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit për Frrokajn.

Lexo edhe:
Tush Frrokaj, i dyshuari për vrasjen në Klinë, kërkohet nga policia

“Është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori i shtetit ka dorëzuar kërkesën në departamentin për krime të rënda. Njëkohësisht, gjatë ditës së sotme do të mbahet seanca e procedurës paraprake, do të shqyrtohet kërkesa e prokurorit të shtetit që t’i caktohet masa e paraburgimit personit të pandehur, Tush Frrokaj”, tha ai.

Tush Frrokaj dyshohet që me datën shtatë gusht të këtij viti e ka privuar nga jeta vëllain e gruas së tij, Anton Prelën.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal në qendër të Klinës, ku i dyshuari kishte hyrë dhe kishte gjuajtur disa herë në drejtim të viktimës, duke e lënë të vdekur.

Pas vrasjes, Frrokaj ishte në arrati deri në ditën e djeshme ku edhe u vetëdorëzua në Polici.

/Shqip.com