Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për Ilir Abdullahun, i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj Ilir Avdullahut, i cili u arrestua dje, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate nga PSRK, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet I.A. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri I.A. në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S”, thuhet në njoftim.

Me këtë, thuhet se në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës).

Ndryshe, Policia të dielën njoftoi se është arrestuar Ilir Avdullahu, i cili ishte në kërkim policor për vite me radhë.

“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën ‘Liza’. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Për Trumf Rizën është duke u rigjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. /BetimipërDrejtësi

/Shqip.com