Lajme

Prokuroria flet rreth stikersave “SRB-KM” në targat e disa automjeteve në veri të Mitrovicës

Stikersat SRB të vendosura në targa RKS

Disa automjeteve në mbrëmjen e së martës në veri të Mitrovicës u janë vendosur stikera me mbishkrimin “SRB-KM”, e që nuk dihet se nga kush është bërë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë tha për Shqip.com se në bashkëpunim me Policinë janë duke e hetuar rastin.

“Për momentin nuk ka ndonjë të dyshuar. Jemi në koordinim me Policinë me pa çka do të veprojmë më tutje”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Preteni tha se qytetarë të shtumtë janë ankuar në Polici pasi të njëjtët kishin gjetur stikera të vendosur në veturat e tyre.

“Në mëngjes janë ankuar disa persona që kur kanë shku te veturat kanë pa se i kanë stikerat”, duke shtuar se një gjë e tillë ka ndodhur në të gjitha pjesët e veriut.

Stikersat SRB të vendosura në targa RKS

Qeveria e Kosovës më 29 qershor ka marrë vendim të mundësojë regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga Serbia.

Lexo edhe:
Kurti u kërkon serbëve t’i vendosin targat legale RKS: Nuk do ju kërkohet dogana e as kontrolli teknik

Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022.

Theksojmë se më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, makinat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese.

Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe kushtonin pesë euro.

Ky reciprocitet më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat.

Më 21 prill kishte përfunduar marrëveshja e përkohshme e targave./Shqip.com