Lajme

Prokuroria e Shtetit nis hetime ndaj bizneseve që dyshohet se manipuluan me çmime

Prokuroria e shtetit

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me Inspektoratin e Tregut, të Ministrisë së Tregtisë do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg.

Sipas një njoftimi për media, veprimet do të ndërmerren ndaj atyre të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.

Njoftimi vjen vetëm pak orë pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje këtij organi që ta hetojë ngritjen e çmimeve të produkteve bazike ditëve të fundit në Kosovë.

Gjithashtu Ministria e Tregtisë dhe Industrisë më herët përmes një komunikate njoftoi se operatorët ekonomik kanë fshehur produktet nëpër depo dhe kanë mashtruar me çmime.