Lajme

Prokuroria e dorëzon aktakuzën e ndryshuar për Thaçin dhe të tjerët

Zyra e Dhomave të Specializuara në Hagë, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika ku ata ngarkohen për krime lufte.

Në këtë aktakuzë, shkruhet se përmes veprimeve të përshkruara, Hashim Thaçi, Kadri VeseliI, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi “kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krime”.

Sipas prokurorisë përmes aktakuzës së dorëzuar, ata cilësohen si eprorë në lidhje me krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Aktakuza thotë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13(1)(h), 16(1)( a), dhe 16(1)(c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13(1)(e), 16(1)(a) dhe 16(1)(c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14(1)(c), 16(1)(a), dhe 16(1)(c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13(1)(j), 16(1)(a) dhe 16(1)(c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte i dënueshëm sipas neneve 14(1)(c)(i), 16(1)(a) dhe 16(1)(c) të Ligjit. “Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13(1)(f), 16(1)(a) dhe 16(1)(c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14(1)(c)(i), 16(1)(a) dhe 16(1)(c) të Ligjit; Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13(1)(a), 16(1)(a) dhe 16(1)(c) të Ligjit; Pika 9: vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14(1)(c)(i), 16(1)(a) dhe 16(1)(c) të Ligjit; Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13(1)(i), 16(1)(a) dhe 16(1)(c) të Ligjit”, thotë aktakuza.