Lajme

Prokuroria del me propozim të ri për Pantiqin

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar propozimin për vazhdimin e arrestit shtëpiak të Dejan Pantiqit edhe për dy muaj.

Një veprim i tillë është konfirmuar nga avokati, Ljubomir Pantoviq.

Ai u ka thënë mediave serbe se një propozim të tillë e kanë pritur nga prokurori dhe se është i sigurt se Gjykata do ta pranojë, kurse mbrojtja do të kërkojë një dënim më të butë.

“Ne prisnim që të kërkonin vazhdimin e masës së paraburgimit, duke pasur parasysh natyrën dhe peshën e veprës penale për të cilën akuzohet Pantiq, por edhe për gjithçka që ka ndodhur që nga momenti i arrestimit të tij. Sidomos nga momenti kur i është ndryshuar paraburgimi në arrest shtëpiak, pra nga reagimet e mëpastajme”, ka thënë Pantoviq.

Ai shtoi se, një propozim i tillë i prokurorit me shumë gjasa do të pranohet dhe se është pothuajse i sigurt për këtë.

Pantoviq ka deklaruar se mbrojtja do t’i kërkoj gjykatës që të mos e pranojë propozimin e prokurorit dhe t’i caktojë një masë më të butë, përkatësisht paraqitjen në stacionin policor.

Ai beson se ajo që thuhet në propozimin e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit është në kundërshtim me ligjin.

Prokuroria nuk ka dhënë asnjë arsye konkrete mbi bazën e së cilës mendon se heqja e arrestit shtëpiak ndaj Dejan Pantiqit do të rrezikonte hetimet, pra se ai do të ikte ose do të përsëriste krimin”, thekson sot Pantoviq. .

Ai saktëson se Gjykata duhet të marrë vendim deri më 9 janar, kur Pantiqit i skadon masa e arrestit shtëpiak dhe Pantoviq pret që të shkruhet nesër ose më së voni të hënën në mëngjes.

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, u arrestua më 10 dhjetor 2022, me dyshimin se i njëjti kishte marrë pjesë në sulmin ndaj Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.

Kjo solli ngritjen e të paktën 14 barrikadave në pjesë të ndryshme të veriut.

/Shqip.com