Lajme

Prokurori Special kërkon dënimin e Pal Lekajt

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj

Prokurori Special, Atdhe Dema, ka kërkuar që ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtari i komunës Ismet Isufi, zyrtari Gani Rama dhe biznesmeni, Veli Hajdaraga, të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit. Ndërsa, mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.

Pal Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune. Për keqpërdorim pozite akuzohen edhe Isufi dhe Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione akuzohet Veli Hajdaraga, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Arianit Koci, i cili fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, tha se prokuroria nuk e ka marrë fare mundin që të merret me vërejtjet e Gjykatës së Apelit.

“Gjykata e Apelit në mënyrë të qartë i ka artikulu vërejtjet e veta, e prokurori nuk e murr mundin fare t’ia bëjë të qartë gjykatës të gjitha vërejtjet që janë bërë nga Gjykata e Apelit, mes tjerash Apeli thotë se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur ta vërtetojë kohën e kryerjes së veprës penale dhe sipas Apelit e njëjta është përcaktuar paushall dhe jo kohën kur të pandehurit kanë vepruar apo janë dashur të veprojnë”, tha avokati Koci.

Avokati Koci tha se edhe pse Lekaj është i pafajshëm, ai tashmë e ka marrë një dënim për shkak se i njëjti tash e 7 vite zvarritet në procedurë penale, që nga hetimi e deri tani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Ndrecë Dodaj deklaroi se edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nuk janë vërtetuar pretendimet e ngritura nga prokuroria se Gani Rama ka alokuar, lejuar apo aprovuar mjete për llogari të biznesit në aktakuzë.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve Isufi dhe Velihajdaraga, avokatët Bajram Morina dhe Agim Muhaxhiri thanë se qëndrojnë prapa fjalëve përfundimtare të shqyrtimit të kaluar.

Avokati Morina tha se duke marrë parasysh vendimin e Apelit në këtë rast ka arritur parashkrimi absolut, duke kërkuar nga gjykata që ndaj të akuzuarit Isufi të merret aktgjykim refuzues./SHQIP.com