Lajme

Prokurori: Pjetër Shala ishte në grup me Sabit Gecin e Xhemshit Krasniqin, vranë një person

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka thënë se Pjetër Shala ka qenë pjesë e një grupi në të cilin ishin të përfshirë Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi.

Sipas deklaratës hyrëse të tij në seancën gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, prokurori Wihting tha se këta persona kishin shkaktuar vdekjen e një personi duke e rrahur dhe duke e goditur me armë në këmbë.

“Çështja gjyqësore që fillon sot kundër të akuzuarit Pjetër Shala në fakt është shumë e thjeshtë, edhe pse e ka ndryshuar në mënyrë tragjike jetën e shumë njerëzve dhe i ka dhënë fund jetës së një personi të caktuar. Dëshmitë tregojnë se në pranverë të 1999-tës në Kukës të Shqipërisë, i akuzuari ka kryer krime. Dëshmitë do të tregojnë që Shala ishte pjesë e një grupi të vogël ushtarësh të UÇK-së të cilët i kanë kryer këto krime. Ky grup përfshinte Sabit Gecin dhe Xhemshit Krasniqin, të dy të shpallur fajtor në dy gjyqe në Kosovë për krimin e ndalimit arbitrar dhe keqtrajtimi të zhvilluar në fabrikën e Metalit në Kukës”, tha u.d i prokurorit të specializuar.

Sipas aktakuzës së prezantuar nga prokurori, Pjetër Shala së bashku me grupin e tij kanë keqtrajtuar në mënyrë jo njerëzore të paktën 18 viktima në qendrën e ndalimit në ish-fabrikën e metalit në Kukës ku njëra prej këtyre viktimave edhe është vrarë.

“Aktakuza e çështjes gjyqësore pretendon se ky grup kriminal që përfshinë edhe të akuzuarin, kanë ndaluar dhe keqtrajtuar në mënyrë barbare të paktën 18 viktima në qendrën e ndalimit që ndodhej brenda territorit të ish-fabrikës së Metalit në Kukës. Ky grup kriminal duke përfshirë edhe të akuzuarin ka vrarë njërin prej këtyre viktimave në natën e 4 apo 5 qershorit 1999 apo përafërishtë atë kohë”.

Ndalimi i viktimave sipas aktakuzës është bërë për shkak se grupi i Pjetër Shalës i kishte cilësuar si të afërt me serbët e që kanë merituar dënim e poshtërim.

“Viktimat e kësaj çështje janë shënjestruar për shkak të afërsisë së perceptuar që kishin me serbët të cilësuar si bashkëpunëtorë të cilët e kanë merituar dënimin dhe poshtërimin. Ata janë ndaluar pa asnjë proces të ligjshëm dhe në kohën që janë mbajtur të ndaluar iu janë nënshtruar abuzimit, torturës dhe është bërë një rast i vrasjes”.

Prokurori thotë se Pjetër Shala ka marrë pjesë në arrestimin e një personi si dhe transferimin e një të burgosuri në këtë qendër ndaluese në Kukës si dhe duke kontribuar në krijimin e kushteve ç’njerëzore në këtë pikë.

Krahas kësaj, prokurori Whiting përshkroi edhe aktet që sipas aktakuzës ka kryer Pjetër Shala dhe grupi i tij ndaj viktimave të pretenduara.

“Ai ka marrë pjesë në rrahjen e vazhdueshme të të burgosurve në këtë pikë ndalimi që përfshinte rrahjen me shufra hekuri dhe të mprehta ku si rezultat i këtyre rrahjeve viktimat janë mbuluar me gjak të shoqëruar me thyerje të eshtrave dhe nuk kanë qenë në gjendje të ecin me këmbët e tyre. I akuzuar ka qenë pjesë e një grupi që kanë vrarë një person të cilin e kanë rrahur në mënyrë të vazhdueshme dhe të ashpër si dhe duke e gjuajtur me armë në këmbë duke bërë që ai të kishte hemorragji ku u shkaktua edhe vdekja e tij”.

Ndërsa, kujtojmë se në fillim të seancës gjyqësore, Pjetër Shala kishte deklaruar se e ka kuptuar aktakuzën, por që është deklaruar i pafajshëm dhe duke thënë se të gjitha këto janë trillime dhe gënjeshtra.

/Shqip.com