Lajme

Prokurori i Shtetit: Progresi i Kosovës në luftën kundër korrupsionit – meritë e sistemit të drejtësisë

Prokuroria e Shtetit

Prokurori i Shtetit ka mirëpritur progresin që ka shënuar Kosova në luftën kundër korrupsionit.

Kosova ka marrë 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

Këtë vit është radhitur e 87-ta, duke shënuar përparim krahasuar me vitin e kaluar kur ishte e 104-ta me 36 pikë.

Prokurori i Shtetit ka vlerësuar se kjo është një e arritur e të gjitha institucioneve ligj zbatuese në Kosovë.

“Si dhe i gëzohet faktit që Kosova ka shënuar një progres të tillë,  duke u ngritur për 17 vende, që pa dyshim është meritë e sistemit të drejtësisë në përgjithësi si dhe e sistemit prokurorial në veçanti”, thuhet në komunikatën për media.

Më tej, në reagimin thuhet se “Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për të punuar që Kosova të përparojë edhe më tutje në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive tjera negative”.

Sa i përket vendeve të rajonit, Shqipëria ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit. Ajo ka 35 pikë – një më pak sesa një vit më parë.

Ndërsa, përparim ka shënuar Maqedonia e Veriut, e cila ka 39 pikë, katër më shumë sesa vitin e kaluar.

Serbia nuk ka ndërruar pozitë krahasuar me vitin e kaluar. Ka sërish 38 pikë./SHQIP.com