Lajme

Prokurori e konfirmon, arrestimi i 4 të dyshuarve lidhet me rastin “Brezovica”

Prokurori Rasim Maloku
Prokurori Rasim Maloku

Prokurori Rasim Maloku e ka konfirmuar se katër të arrestuarit e sotëm, në mesin e të cilëve është edhe avokati Besnik Berisha, dyshohen për pengim në rastin e fajdes që lidhet me rastin “Brezovica”.

“Janë arrestuar për pengim në rastin e fajdesë. Rasti i fajdesë rrjedh prej rastit “Brezovica””, ka thënë Maloku për “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë ditës, avokati Besnik Berisha është ndaluar për 48 orë, pasi i njëjti bashkë me tre të tjerë: N.Xh., I.S., dhe R.C., u arrestuan nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Ushtrim ndikimi”, “Pengim i procedurës penale” dhe “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.

Në një prononcim për “Betim për Drejtësi”, mbrojtësi i Berishës, avokati Naim Rudari ka thënë se pretendimet e Prokurorisë janë se ndërlidhen me rastin “Brezovica”.

Përmes një komunikate, Prokuroria e Ferizajt kishte njoftuar se mëngjesin e së enjtes, është realizuar një aksion, ku janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë personave.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë (6) personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër (4) të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C., për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare “ nga neni 386 paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

/Shqip.com