Lajme

Prokurorët ukrainas kërkojnë dënim të përjetshëm për ushtarin rus në gjyqin për krime lufte

Vadim Shishimarin - ushtar rus

Prokurorët ukrainas të enjten kërkuan që një ushtar rus të dënohet me burgim të përjetshëm pasi pranoi fajësinë për vrasjen e një civili ukrainas.

Vadim Shishimarin është duke u përballur me gjyqin e parë për krime lufte që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Ai akuzohet se qëlloi një 62-vjeçar në kokë përmes një dritareje të hapur të një makine në një fshat në rajonin verilindor Sumy, më 28 shkurt, katër ditë pas pushtimit, shkruan Euronews.

Shishimarin, i cili ka pranuar akuzat, dëshmoi të enjten se ai qëlloi një civil me urdhër të dy oficerëve dhe u lut që e veja e viktimës ta falte atë.

“E kuptoj që nuk mund të më falësh, por po të lutem për falje”, tha Shishimarin.

Ushtari 21-vjeçar i tha një gjykate në Kiev se oficeri këmbënguli se ukrainasi, i cili po fliste në celularin e tij, mund të tregonte vendndodhjen e tyre tek forcat ukrainase.

Të enjten ai i kërkoi të vesë së viktimës, e cila gjithashtu u paraqit në gjyq, që ta falte për atë që bëri.

Kateryna Shelipova, tha se bashkëshorti i saj 62-vjeçar, Oleksandr Shelipov, doli për të parë se çfarë po ndodhte kur të shtënat me armë ranë jashtë shtëpisë së tyre.

Lexo edhe:
Ushtari rus i akuzuar për krime lufte pranon fajësinë për vrasjen e një civili

Kur të shtënat pushuan pak më vonë, ajo doli dhe gjeti burrin e saj të vrarë me armë zjarri jashtë shtëpisë së tyre.

Shelipova i tha gjykatës se Shishimarin meriton një dënim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortit të saj, por shtoi se nuk do ta kishte problem nëse ai do të shkëmbehej si pjesë e një shkëmbimi të mundshëm të të burgosurve me Rusinë për mbrojtësit ukrainas të dorëzuar të fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol.

Prokurori kërkoi dënim të përjetshëm për Shishimarin dhe gjykimi u shty për të premten.

Shishimarin, një anëtar i kapur i një njësie tankesh ruse, po ndiqet penalisht sipas një seksioni të kodit penal të Ukrainës që trajton ligjet dhe zakonet e luftës.

Ndërsa rasti inaugurues i krimeve të luftës në Ukrainë, ndjekja penale e Shishimarin po vëzhgohej nga afër.

Hetuesit kanë mbledhur prova të krimeve të mundshme të luftës për t’i sjellë përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë./Shqip.com