Lajme

Projektligji për faljen e gjobave gjatë pandemisë procedohet në Kuvend

Sot gjatë ditës së mërkurë në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, është shqyrtuar Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë.

Në këtë mbledhje të këtij komisioni është vendosur që ky projektligj të procedohet në Kuvend edhe pse pozita ishte kundër.

Ky draft-propozim ishte nga Partia Socialdemokrate i cili parashihte faljen e masave ndëshkimore të shqiptuara për qytetarët gjatë periudhës së pandemisë.

Sekretari i PSD-së, Nol Nushi kritikoi komisionin për vonimin e projektligjit dhe më pas shpjegon arsyeshmërinë e këtij ligji,

“Arsyeshmëria e këtij projektligji ka qenë për shkak se pandeminë e kemi pasur si të panjohur por ai ligj që ka dal, ka dal si pasojë e votimit në Kuvend, mirëpo shkelja flagrante e atij ligji që ndodh prej partive të Kuvendit në fushatën e famshme të vitit 2021 na ka nxitë neve si qytetarë që me reagu ndaj kësaj padrejtësie dhe me e kërku faljen e përgjithshme të gjobave të shqiptuara në emër të këtij ligji”, tha Nushi.

Nushi, tregoi se kush nuk përfshihet në projektligjin që parasheh faljen e gjobave.

Nga falja e gjobave përjashtohen bizneset e mëdha, nuk përjashtohen bizneset e vogla dhe të mesme, atyre duhet të ju falen. Bizneset e mëdha nuk duhet të falen sepse ata e kanë pasur edhe luksin që të shkelin këtë ligj sepse dënimet kanë mundur që t’i paguajnë për shkak të hyrave të larta. Po ashtu, nga falja përjashtohen edhe partitë politike të  cilat janë zënë në shkelje të këtij ligji”.

Bekim Haxhiu nga Grupi Parlamentar i PDK-së, tha se gjatë ligjit për pandeminë janë ndëshkuar qytetarët si dhe janë amnistuar politikanët.

“Ka nevojë që ky ligj të trajtohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit dhe të analizohet drejtë dhe mirë efektet e këtij ligji sot në kohë krize. Ka filluar për shkak të krizës së pandemisë dhe gjobat nuk kanë qenë për të gjithë njësojë. Janë dëshpëruar qytetarët dhe janë amnistuar politikanët. Prandaj, ka nevojë që ky ligj të miratohet në Kuvendin e Kosovës.”

Kryetarja e komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku tha se me këtë propozim po ju themi njerëzve që ju shkelni ligjin dhe ne ju falim.

“Ne nuk mund të themi që nuk është mbyllur epidemia por nuk mund të themi se nuk do të kemi situate të ngjashme në të ardhmen dhe nëse krijojmë precedencë të tilla ku i inkurajojmë shkelësit duke ju thënë ju vazhdoni të shkelni ligjin se ne do të ju falim nuk është në rregull”.

Ndërsa, Shëmsedin Dreshaj nga AAK tha se ky draft-ligj duhet të merret në konsideratë.

/Shqip.com