Lajme

Projekt-rezolutë në Kongresin amerikan për të nderuar aktivisten Vasfije Krasniqi-Goodman

Kongeresi Amerikan pritet që të votojë një projekt-rezolutë për të nderuar Vasfije Krasniqi-Goodman.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Colin Allred paraqiti të martën një projekt-rezolutë për të nderuar aktivisten e të drejtave të njeriut, Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë raporton Zëri i Amerikës.

Sipas raportitmit të Zërit të Amerikës në këtë dokument u bëhet gjithashtu thirrje Shteteve të Bashkuara që të angazhohen për t’u siguruar që qeveria e Serbisë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Demokrati Allred që është edhe përfaqësues i shtetit të Teksasit e ka paraqitur projekt-rezolutën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Jam shumë i frymëzuar nga guximi i Vasifjes për të ndarë historinë e saj të dhimbshme së saj pikëlluese dhe për të hedhur dritë mbi realitetin e dhunës seksuale të kryer nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës së Kosovës,” tha zoti Allred.

Ndërsa Zonja Krasniqi-Goodman tha se paraqitja e projekt-rezolutës që dënon përdhunimin si armë lufte dhe thekson nevojën për drejtësi dhe vënie para përgjegjësisë, është një moment krenarie për të si edhe për “20,000 të mbijetuarit e krimeve të luftës seksuale në Kosovë dhe në mbarë botën”.

“Unë i jam jashtëzakonisht mirënjohës (anëtarit të Kongresit Allred) dhe bashkë-sponsorizuesve të (projekt-rezolutës) që po ngrenë zërin në mbështetje të të mbijetuarve dhe kërkesës sonë për drejtësi. Çdo hap në luftën tonë u jep shpresë të tjerëve dhe i inkurajon ata të ngrihen dhe të vazhdojnë luftën”, tha ajo.

Zonja Krasniqi-Goodman vlerësoi angazhimin e lëvizjes “Rally for Her Justice” për çështjen e të mbijetuarve nga dhuna seksuale në luftë dhe rolin e saj në paraqitjen e projekt-rezolutës.

Po ashtu, në deklaratë, thuhet se SHBA dhe aleatët e tyre punojnë për të mbledhur prova dhe të vënë para përgjegjësisë autorët e krimeve të luftës në konfliktet e sotme, “është e rëndësishme të shqyrtohen mësimet nga e kaluara”.

Projekt-rezoluta u mbështet gjithashtu nga anëtarët demokratë të Kongresit, Adriano Espaillat dhe Ritchie Torres nga Nju Jorku, Juan Vargas nga Kalifornia dhe Marc Veasey nga Teksasi./Shqip.com