Lajme

Profili i Memli Krasniqit, kryetari i PDK-së

Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së

Memli Krasniqi është kryetari i tretë i Partisë Demokratike të Kosovës, pas Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Delegatët kanë vendosur që t’ia jepnin timonin e partisë Krasniqit, në një kohë kur PDK ka rënie në elektorat nga zgjedhjet në zgjedhje.

Por, kush është Memli Krasniqi?

Memli Krasniqi ka lindur në Mitrovicë, 25 janar 1980.

Krasniqi shkollën fillore e ka përfunduar në “Hasan Prishtina”, ndërsa atë të mesmen në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, Prishtinë.

Studimet bachelor i kreu në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filozofik për shkenca politike, ndërsa nivelin master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE).

Ka punuar si gazetar në agjencinë amerikane të lajmeve ‘Associated Press”, gjatë viteve 1999-2000.

Më vonë, ka qenë Drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës.

Gjatë këtyre viteve ai është marrë edhe me muzikë si pjesë e grupit “Ritmi i Rrugës”.

Nga viti 2004 është angazhuar aktivisht në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në tetor të vitit 2006 është zgjedhur Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës.

Nga ky pozicion, ai ka qenë edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së. Në shkurt të vitit 2013, Krasniqi është zgjedhur Nënkryetar i PDK-së për Çështje Organizative dhe të Rinisë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, Memli Krasniqi është zgjedhur për herë të parë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ka qenë Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sport, pastaj edhe Ministër i Bujqësisë.

Në zgjedhjet e fundit ai u rizgjodh për herë të gjashtë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Memli Krasniqi jeton në Prishtinë, me bashkëshorten Melizën dhe fëmijët Borën, Malin dhe Verën. /Shqip.com