Profesori nga Vushtrria shpërthen në lot gjatë intervistës, tregon si u bullizua për shkak të videove në “TikTok”
Disa video të publikuara në rrjetin social “TikTok”, ku shihet duke vallëzuar me këngë patriotike, bënë që profesori nga Vushtrria, Lulzim Paci, të bëhet njëri nga figurat më të komentuara, saqë mori epitetin “Profa i Tik Tok-ut”.
Për shkak të vallëzimeve të tij Paci mori kritika e ofendime nga më të ndryshmet në mediat sociale.
Së fundmi, ai ishte i ftuar në një emision televiziv, ku ndër të tjera ka treguar se si është bullizuar në rrjete sociale.
Mes lotëve, profesori ka treguar një mesazh që i kishte dhënë të vëllait.
“I thashë vëllait tim, nëse të pyesin se çka e ke Lulzim Pacin, thuaj kushëri. Mos i thuaj vëlla”, deklaroi Paci derisa ia nisi të qajë.
Reagime për sjelljen e profesorit në “TikTok” ka pasur edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët këtë veprim të profesorit e kanë cilësuar si të pahijshëm.
Ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ajo e cila ka kërkuar nga Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri dhe Drejtoria e Arsimit që të marrin masa.
“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, në veçanti juve nxënës të Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’- Vushtrri, dhe juve prindër. Ditëve të fundit njëri nga profesorët e Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’ është duke publikuar video të tij, të cilat janë veprime të pahijshme dhe degjeneruese”.
“Andaj, i bëj thirrje drejtorit të Gjimnazit dhe drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, që të marrin masa ndaj profesorit në fjalë. Sepse veprimet tij përmes videove lënë të kuptojnë, që një profesor i tillë nuk mund të arsimoj dhe edukoj kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë”, thuhej në reagimin e Ujkanit të publikuar më 27 janar./SHQIP.com