Kulturë

Profesor Muhamet Hamiti në ASHAK ka paraqitur kumtesën për Bajronin

Profesori i njohur i letërsisë angleze, Muhamet Hamiti
Profesori i njohur i letërsisë angleze, Muhamet Hamiti

Profesori i njohur i letërsisë angleze, Muhamet Hamiti, sot në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) ka paraqitur kumtesën me titull: “Poezia, teksti e paratekstet e Bajronit për shqiptarët”.

Punimi merret me poezinë dhe politikën, me tekstin dhe paratekstin e kësaj vepre të poetit romantik anglez, me fokus në Shqipërinë dhe shqiptarët (te Kënga II). Veç poezisë, Bajroni ka lënë letra që dëshmojnë për shtegtimin e tij në ato vise, ka edhe ditarë të mikut dhe shoqëruesit të tij kryesor, Xhon Kem Hobhaus (John Cam Hobhouse)”, ka shkruar Hamiti.

Profesori i njohur i letërsisë angleze, Muhamet Hamiti

Në vazhdim, po e botojmë abstraktin e kësaj kumtese.

“Poezia, teksti e paratekstet e Bajronit për shqiptarët”

(Abstrakt)

Poeti e politikani i ri anglez Lordi Bajron gjatë vjeshtës së vitit 1809 kaloi një kohë në Oborrin e Ali Pashës në Tepelenë dhe në vise të tjera shqiptare nën Perandorinë Otomane në kohën e trazimeve evropiane, luftërave napoleonike.

“U zgjova një mëngjes dhe pashë se qeshë bërë i famshëm”, shkruante George Gordon Byron (Xhorxh Gordon Bajron) 23-vjeçar mbasi kishte botuar dy këngët e para të Childe Harold’s Pilgrimage (Shtegtimi i Çajld Haroldit), poemw autobiografike më 1811 pas një turi të madh mediteran drejt Orientit (1809-11), që përfshinte edhe Shqipërinë.

Punimi merret me poezinë dhe politikën, me tekstin dhe paratekstin e kësaj vepre të poetit romantik anglez, me fokus në Shqipërinë dhe shqiptarët (te Kënga II). Veç poezisë, Bajroni ka lënë letra që dëshmojnë për shtegtimin e tij në ato vise, ka edhe ditarë të mikut dhe shoqëruesit të tij kryesor, Xhon Kem Hobhaus (John Cam Hobhouse).

Këto dhe fusnotat e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët te Shtegtimi marrin funksion më të madh sesa dytësor në kontekstin e kohës.

Shqipëria ishte e panjohur, ndërsa këtu dëftohej në kontekst të ndeshjes me Orientin por edhe për arsye politike. Raporti i Bajronit me Ali Pashën do të trajtohet po ashtu si fakt e fiksion, si raport njerëzish kundërthënës, të famshëm e famëkeq, siç ishte plaku Ali Pasha e do të bëhej Bajroni, rreth të cilëve janë tjerrë edhe rrëfime të habitshme, nganjëherë fantastike.

A ishte Bajroni emisar politik britanik që ishte dërguar tek Ali Pasha? Po e jo. Më parë jo, siç del prej kërkimesh objektivizuese.

Fjalët kyçe: Bajroni, Shtegtimi i Çajld Haroldit, Ali Pasha, shqiptarët, Shqipëria, teksti, paratekstet.

/Shqip.com