Lajme

Profesionistët shëndetësor rekomandojnë dozën e katërt të vaksinës anti-COVID-19: Mbyllja s’është opsion

Klinika Infektive, QKUK.

4 mijë e 902 raste aktive me COVID-19 janë aktualisht në vendin tonë. Disa ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen edhe me dozën e katërt.

Marrja edhe e dozës së katër të vaksinës anti-COVID-19,po vlerësohet si masë preventive kundër përhapjes së virusit, pas rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit. Këtë rekomandim të Ministrisë po e përkrahin edhe profesionistët shëndetësor.

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj theksoi se situata epidemiologjike nuk është shqetësuese që të shkohet drejt mbylljes.

“Për momentin kemi mjaftueshëm barna esenciale për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Rekomandimet e institutit kombëtar të shëndetit publik duhet të respektohen nga të gjithë ne. Vendimet e Qeverisë ne duhet ti zbatojmë në përpikëri të gjithë ne. Unë nuk mendoj që mbyllja është opsion dhe nuk mendoj që situata epidemiologjike për momentin është e tillë që të ketë mbyllje”, ka thënë Vishaj.

Arben Veshaj

Përderisa infektologu, Ilir Tolaj ka rekomanduar që çdo kush që ka vullnet të vaksinohet me dozën e katër.

“Autoritet botërore po rekomandojnë që të vaksinohen personat që e grupmoshave të caktuara mbi 60 vjeç ose ato me sëmundje kronike edhe me dozën e katërt.  Prandaj rekomandimi imi është që çdo kush që ka vullnet për ta shtuar imunitetin e vet të vaksinohet edhe me dozën e katërt”, thotë Tolaj.

Ish-sekretari në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj

Ministria e Shëndetësisë ka apeluar tek qytetarët që të vaksinohen si dhe t’i bartin maskat në ambiente të mbyllura.

Ky apel i MSH-së ka ardhur duke u bazuar në projeksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për dinamikën e rasteve të COVID-19.

“Rastet me COVID-19 po shënojnë rritje dhe sipas projeksioneve të IKShPK, dinamika në rritje pritet të vazhdoj edhe në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vetëm në 24 orët e fundit ka vdekur një person dhe janë konfirmuar  1.084 raste të reja me COVID-19 në Kosovë. Megjithatë, gjatë këtij 24 orëshi janë shëruar 406 qytetarë./Shqip.com