Art Jetese

Profesionet që preken më shumë nga mbingarkesa

Është normale që të ndiheni të stresuar në punë herë pas here.

Por për disa njerëz, stresi është bërë shkatërrues, duke çuar drejt shterimit, cinizmit dhe urrejtjes së punës. Kjo njihet si mbingarkesë.

Dimensionet e reja të mbingarkesës: Ndjesi të ezaurimit të energjive, rritje e distancës mendore nga puna, ndjenja negative apo cinike që lidhen me punën. produktivitet në nivele të ulëta.

Përkufizimi i ri i mbingarkesës duhet të jetë një kambanë alarmi për punëdhënësit për ta trajtuar problemin e stresit kronik, që nuk është menaxhuar me sukses, si një problem i shëndetit dhe sigurisë në punë.

Nëse mendoni se jeni të mbingarkuar, hapi i parë që duhet të bëni është të flisni me drejtuesin tuaj. Shumë vende pune tashmë kanë edhe psikologë të jashtëm, pjesë e programit për asistencë të punonjësve.

Çfarë e shkakton mbingarkesën

Ne të gjithë kemi aftësi të ndryshme për t’u bërë ballë tensioneve emotive dhe fizike. Njerëzit e mbingarkuar përjetojnë shpesh një ndjesi ezaurimi emocional apo indiferencë dhe mund t’i trajtojnë kolegët, klientët dhe pacientët në mënyrë të shkëputur.

Largohen nga puna e tyre dhe humbasin zellin për drejtimin e zgjedhur. Mund të bëhen cinikë, më pak produktivë në punë dhe të mos kenë dëshirë për t’u realizuar personalisht. Në një afat të gjatë, kjo mund të mos jetë e dobishme për vetë personin apo kompaninë.

Kush rrezikohet më shumë?

Çdo person, puna e të cilit është i lidhur me njerëz, rrezikon të vuajë nga mbingarkesa. Kjo mund të përfshijë mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, punonjësit e burgut apo ata që punojnë në sektorin e shitjeve me pakicë. Punonjësit në shërbimin e emergjencës – policia, mjekët, infermierët, punonjësit e urgjencës – janë edhe më të rrezikuar pasi punojnë në kushtet e stresit të lartë. Një studim i kryer te 15 mijë mjekë amerikanë gjeti se 44% e tyre shfaq sindromën e burnout.

Është normale t’i thoni jo një pune tjetër

Punëdhënësit e kanë detyrim organizativ të promovojnë mirëqenien e personelit dhe të garantojnë personelin qe të mos ngarkohet.

Por ka disa mënyra që ju mund të bëni për të reduktuar rrezikun nga burnout. Një prej tyre është të rrisni nivelin e rezistencës. Kjo do të thotë që të jeni në gjendje t’i përgjigjeni stresit në mënyrë të shëndetshme.

Ju mund të rrisni nivelin e rezistencës duke mësuar që të shkëputeni nga puna, të vendosni kufij dhe të mendoni më shumë për veten. Cilido që të jetë profesioni juaj, mos e lini punën që të bëhet e vetmja mënyrë që t’ju përcaktojë ju si person.