Lajme Botë

Prodhuesi i letrës higjienike në Gjermani drejt falimentimit

Prodhuesi i letrës higjienike Hakle në Gjermani është duke falimentuar, për shkak të rritjes së kostove të lëndëve të para dhe energjisë. 

 Siç raporton Spiegel, një zedhënëse e Gjykatës së Düsseldorf tha se kompania ka aplikuar për procedurat e falimentimit në vetëadministrim.

Kompania u ankua se “kostot e rritura masivisht të energjisë për përpunimin e materialeve si dhe transportin” nuk mund të kalonin te klientët në sektorët e shitjes me pakicë të ushqimit dhe farmacive në masë të mjaftueshme. 

Ilustrim

Drejtori i kompanisë Hakle, Volker Jung tha se vetë administrimi do t’u mundësojë një organizim më të mirë për të ardhmen.

“Vetë-administrimi na ofron fleksibilitetin dhe shpejtësinë që na nevojitet për të riorganizuar operacionet tona në afat të gjatë,” tha drejtori Volker Jung. 

Sipas Jung, më e rëndësishme mbetet ruajtja e vendeve të punës.

“Ne kemi besim se ky ripozicionim do të ketë sukses në këtë situatë sfiduese të një krize energjie që mund të përshkruhet si historike. Bëhet fjalë për ruajtjen e vendndodhjes dhe vendeve të punës.”, ka thënë ai.

Hapat e parë për të stabilizuar kompaninë tashmë janë ndërmarrë, tha Jung. Pagat dhe mëditjet sigurohen nga kompensimi i falimentimit nga Agjencia Federale e Punësimit për muajt shtator deri dhe duke përfshirë nëntor 2022. 

Klientët dhe partnerë të rëndësishëm të kompanisë kanë sinjalizuar tashmë mbështetjen e tyre. 

Në vitin 2020, sipas pasqyrave financiare vjetore të publikuara në Gazetën Federale, Hakle GmbH raportoi një të ardhur neto prej rreth 650,000 euro me shitje prej gati 80 milionë euro./Shqip.com