Lajme

Procedurat brenda BE-së, pengesë shtesë për Kosovën në rrugën e integrimit

Aplikimi i Republikës së Kosovës për statusin e vendit kandidat për në Bashkim Evropian ka ngjallur reagime brenda dhe jashtë vendit. Nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar se e përkrahin rrugën e Kosovës drejtë BE-së.

Për këtë vendim, Kosova ka marrë përkrahje edhe nga shtetet e rajonit e po ashtu edhe nga vendet anëtare të BE-së. Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Finlanda e Estonia janë vetëm disa nga vendet që kanë mbështetur Kosovën në këtë drejtim.

Politologu Dritëro Arifi, në një intervistë në teve1, thotë se pavarësisht përkrahjes, anëtarësimi në BE do të jetë i vështirë për shkak të elementit të unitetit që ekziston brenda organizatës.

“Sa i përket përkrahjes së disa vendeve të Bashkimit Evropian është shumë e mirë, e mirëseardhur dhe është një aset shumë i fuqishëm për Kosovën. Por, problemi është kur vjen në çështjen e Bashkimit Evropian në nivel të kësaj organizate edhe ato vende që na kanë njohur e na përkrahin kanë status neutral për shkak të unifikimit që duhet me ekzistu në familjen Evropiane”, ka thënë Arifi.

E për t’i larguar këto probleme, politikani i CDU-së gjermane, Kolë Gjoka thotë se BE duhet të reformohet për ta mundësuar vendimmarrje më të lehtë.

“Sfidat do të jenë shumë të mëdha, por unë besoj që sfidat më të mëdha do t’i ketë Bashkimi Evropian. Vetë Bashkimi Evropian- e them këtë, sepse Bashkimi Evropian është një mekanizëm shumë i rëndë dhe lëvizë me shumë burokraci. Besoj që së pari Bashkimi Evropian duhet të reformohet vet dhe duhet të heq patjetër klauzolën e bllokimit në vendimmarrjen e vet Bashkimit Evropian”, u shpreh mes tjerash Gjoka.

Gjermania, më në krye me kancelarin Olaf Shcolz, është vendi që më së shpeshti e ka potencuar se Ballkani Perëndimor, sa më shpejtë duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

/Shqip.com