Lajme

Procedura e përshpejtuar për Projektligjin e Pagave, Hoti: Veprim i qeverive autoritare

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkruar se nuk e kupton ngutin e mazhorancës për të shqyrtuar në procedurë të shpejtë dy ligjet më të rëndësishme për administratën shtetërore.

Ai ka shkruar se me afatin për amandamente që është deri të hënën, pamundësohet shtjerrimi i diskutimeve për grupet e interesit, siç janë sindikatat.

“Ligji i pagave i përcakton të ardhurat e rreth 85 mijë të punësuarëve dhe familjeve të tyre, pra të ardhurat nga të cilat jetojnë rreth 400 mijë qytetarë. Ndërkaq, Ligji i zyrtarëve publik përcakton statusin e punësimit, të drejtat dhe karrierën e të gjithë zyrtarëve publik.

Sipas vendimit të djeshëm të Kuvendit, afati për amendamente është deri të hënën më 19.12.2022, në orën 12:00. Nuk ka asnjë mundësi që për dy ditë të vikendit të shtjerrën diskutimet me grupet e interesit: me sindikatën e arsimit, të shëndetësisë, të shërbimit civil, të policisë dhe sindikatat e tjera”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, koha e mjaftueshme dhe e arsyeshme për diskutim publik të projektligjeve që shqyrtohen në Kuvend është parim elementar në demokracitë funksionale.

Tutje, ai është shprehur se vetëm qeveritë autoritare miratojnë ligje pa dhënë mundësi që të shprehen atyre që ndikohen nga ato ligje.

/Shqip.com