Pritjes i erdhi fundi

Pritjes së kahmotshme të fansave të Real Madrid, i erdhi fundi sot.
Më në fund, trajneri i Spanjës, Luis Enrique e ka ftuar një futbollist të madrilienëve, për ndeshjet kualifikuese për “Katari 2022”, shkruan Shqip.com.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut të djathtë, Dani Carvajal, i cili e gjen veten te “La Roja”, pas shume kohësh mungesë.
Ky rikthim i tij është i veçantë për faktin që në Kampionatin Evropian, Enrique nuk kishte ftuar asnjë futbollist të “Los Blancos”.
Në këtë pozitë, ai do të ketë konkruencë, futbollistin e Chelseat, César Azpilicueta, i cili po kalon në formë fenomenale me londinezët.

Në ekipin spanjoll është rikthyer edhe sulmuesi i Barcelonës, Ansu Fati, që për shkak të lëndimit, kishte qenë jashtë fushave të gjelbra për gati një vit.
Kurse, në këtë listë bën pjesë edhe anëtari tjetër i katalunasve, Gavi, që ka vetëm 17 vite në supe.
Sa i përket ndeshjeve, spanjollët do të luajnë në udhëtim ndaj Greqisë me datë 11 nëntor, kurse tre ditë më pas do përballen ndaj Suedisë, në Spanjë.
“La Roja” gjendet në pozitën e dytë në Grupin B, me 13 pikë, dy më pak se Suedia që është lidere./Shqip.com
