Lajme

Pritje dhe kolona të gjata në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë

Sot gjatë ditës së hënë ka pasur një ngarkesë të madhe gjatë qarkullimit ne pikën kufitare tek Dheu i Bardhë në Kosovë.

Duke u bazuar në të dhënat e Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, në këtë pikë kufitare pritjet janë të gjata deri në 90 minuta kurse, kolonat kanë arritur deri në 1000 metra.

Ndërsa, në pikën kufitare në Muçibabë, hyrjet në Kosovë pritjet janë të gjata deri në një orë si dhe kolonat kanë arritur në 150 metra.

Kujtojmë se në Bërnjak dhe Jarinje nuk ka pritje gjatë hyrjes dhe daljes për shkak se këto vendkalime kufitare janë bllokuar.

Barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të SHBA-së dhe BE-së ka shtyrë zbatimin e vendimeve – që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti – duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

Qeveria pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator./Shqip.com