Sport Shqiptar

Pritet largimi i Rrahmanit, ekipi i madh spanjoll interesohet për transferimin e tij

Amir Rrahmani në fanellën e Napolit
Amir Rrahmani në fanellën e Napolit

Napoli është i gatshëm të negociojë me klubet e interesuara për Amir Rrahmanin.

Futbollisti kosovar shihet gjithnjë e më larg stadiumit “Diego Maradona”, ndërsa javë më parë u përfol për një transferim të tij të mundshëm në Atalanta gjatë verës që vjen.

E dje, mediat italiane raportuan për një interesim të Atletico Madridit për shërbimet e kapitenit të Kombëtares së Kosovës.

Mediumi “Radio Kiss Kiss” shkroi se trajneri Diego Simeone e ka vëzhguar nga afër kapitenin e Kombëtares së Kosovës në ndeshjen mes Real Madridit dhe Napolit.

Thuhet se klubi italian është i gatshëm ta shesë 29 vjeçarin qysh në janar, nëse i arrin një ofertë e kënaqshme.

Sipas mediave spanjolle, Napoli e vlerëson ish-futbollistin e Lokomotivës së Zagrebit, Dinamo Zagrebit dhe Veronës, 20 milionë euro.

Mbetet të shihet nëse “Los Colchoneros” do të jenë të gatshëm ta paguajnë këtë shifër pasi ata kanë nevojë për një mbrojtës të qendrës për pjesën e dytë të sezonit.

Forma e Rrahmanit kohëve të fundit ka qenë e luhatshme, ndërsa tash nuk konsiderohet si një titullar i padiskutueshëm dhe i pazëvendësueshëm.

/Shqip.com