Lajme

Prishtinë: 17 mësimdhënës dhe 15 nxënës të infektuar me COVID-19

Foto: Shqip.com

Vetëm një nxënës nga 1 mijë e 485 sa ka gjithsej shkolla fillore “Faik Konica” në Prishtinë nuk ka mundur të ju bashkohet shokëve dhe shoqeve të klasës në fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të procesit mësimor.

Nxënësi i klasës së 8-të, është izoluar për shkak të infektimit me Coronavirus të familjarëve të tij dhe po vazhdon mësimin online.

Ndërsa, nga stafi i mësimdhënësve nuk ka munguar asnjë.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar drejtoresha e shkollës “Faik Konica”, Jehona Oruqi-Kica.

“Procesi mësimor ka filluar ashtu siç është planifikuar në fillim të vitit shkollor. Në shkollën tonë është duke u mbajtur me prezencë fizike nga të gjithë nxënësit. Kemi vetëm një rast, një fëmijë i cili është izoluar pasi familja e tij është infektuar me COVID-19 dhe e përcjell mësimin në mënyrë virtuale”, deklaroi Oruqi-Kica.

No description available.
Shkolla fillore “Faik Konica” në Prishtinë

Por, situatë e njëjtë nuk është paraqitur dhe në nivel komune.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Arsimit, 17 mësimdhënës dhe 15 nxënës nuk janë pjesë e procesit si pasojë e infektimit nga Covid 19.

Zëdhënësja për media, Arlinda Krasniqi, ka deklaruar se 95% e stafit të shkollave janë të vaksinuar, ndërsa, 5% prej tyre nuk janë vaksinuar me dy dozat e vaksinës për shkaqe të ndryshme.

“Një numër i të pavaksinuarve është për shkak se e kanë kaluar COVID-19 në dy muajt e fundit dhe nuk vaksinohen deri në periudhën e caktuar”, kurse një numër tjetër është për shkak “se janë shtatzëna dhe kanë probleme tjera shëndetësore”, ka thënë Krasniqi për Shqip.com.

Në rastin kur stafi i institucioneve shkollore nuk është i vaksinuar, “obligohet të sjell rezultatet e testit me të cilat dëshmohet se nuk janë të infektuar”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Kurse nga MASHTI, kanë thënë se procesi mësimor i gjysmëvjetorit të dytë në nivel vendi ka filluar me prezencë fizike në të gjitha institucionet arsimore.

“Periudha e dytë mësimore ka filluar me prezencë fizike në të gjitha shkollat. Deri në këto momente që po flasim nuk është shënuar ndonjë parregullsi në asnjë institucion arsimor. Rekomandimet nga institucionet shëndetësore është që shkollat të mbahen të hapura”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it për Shqip.com.

Periudha e dytë e vitit shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar ka nisur më 10 janar 2022./Shqip.com

No description available.
Foto: Shqip.com