Kulturë

Prishtina pritet të ketë 100 mijë vizitorë në mes të korrikut dhe tetorit, përmes programit ‘Manifesta 14 Prishtina”

Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane, me nikoqir Komunën e Prishtinës si bashkë-organizatore e “Manifesta 14 Prishtina”, ka prezantuar të martën punën dhe programin preliminar.

Programi 100 ditor i ngjarjeve dhe punëtorive artistike dhe ndërhyrjeve urbane do të mbahet nga data 22 korrik deri më 30 tetor 2022.

Edicioni i 14-të i Manifesta, i titulluar “Ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe”, merr sfidën e eksplorimit dhe gjenerimit të praktikave dhe mënyrave të reja të rrëfimit kolektiv.

Sfida e këtij edicioni është të kuptohet bashkëprodhimi, bashkë zhvillimi, si dhe tregime të rikuperimit ende të mundshëm, që mbajnë rrëfimet e gjalla për ata që vijnë më pas.

Kjo metodologji pjesëmarrëse përdoret kryesisht për të integruar sa më shumë që të jetë e mundur artistë, institucione, organizata, producentë dhe projekte kulturore nga qyteti nikoqir në programin 100-ditor të bienales.

Ndërkaq, Kryetari i Komunës Përparim Rama, tha se është i lumtur që pas një pune pesë vjeçare programi ka ardhur në këtë pikë.

“Edicioni do te inkuadroj 20 hapësira publike, të cilat do te shndërrohen ne pika të intervenimeve te artistëve”, tha Rama.

Rama, “Manifesta 14”, e ka cilësuar si një mundësi të mirë për zhvillimin e turizmit në Prishtinë, ku sipas tij, priten rreth 100 mijë vizitorë në mes të korrikut dhe tetorit në Prishtinë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është shprehur falënderues dhe mirënjohës për organizmin, që ka për qëllim shndërrimin e qytetit të Prishtinës në një pikë të rëndësishme të kulturës.

Tutje, Çeku tha se një edicion i veçantë si ky do të rrisë promovimin e kulturës së Prishtinës dhe vendit në përgjithësi e gjithashtu do të promovojë artistët vendor e ndërkombëtar.