Lajme

Prishtina në 1 vjetorin e Përparim Ramës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama sot shënon 1 vjetorin në krye të udhëheqjes së kryeqytetit.

Ishte 7 dhjetori i vitit 2021, kur Rama zyrtarisht kishte marrë detyrën e kryetarit të ri të Prishtinës.

Një arkitekt i kthyer nga Londra, me një bagazh profesional, në verën e vitit 2021, u prezantua para Bibliotekës Kombëtare, nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Aty filloi edhe zyrtarisht aventura e Përparim Ramës në skenën politike.

Kur tash kanë kaluar 12 muaj që prej marrjes së detyrës, Rama është ballafaquar me një opozitë të fortë sa i përket numrave në Kuvendin Komunal.

Partia që është në krye të pushtetit qëndror, Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë njëra ndër kritikueset më aktive të qeverisjes së Ramës.

Gëzim Sveçla, shef i Grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal në Prishtinë, ka deklaruar për Shqip.com se kryetari Rama në periudhën 1-vjeçare ka dështuar të implementojë premtimet e bëra në fushatën zgjedhore.

“Me keqardhje e them se ky është një vit i humbur për Prishtinën. Qeverisja LDK-PDK ka dështuar të implementojë diçka nga ato çfarë ka premtuar. Asnjë dhe asgjë nga projektet kapitale të premtuara nuk ka filluar. Prishtina sot është në gjendje më të keqe se para një viti. Katrahura dhe kaosi mbizotëron gjithandej”, ka thënë Sveçla.

Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla

Shefi i asamblistëve të VV-së, ka theksuar se gjatë kësaj periudhe është bërë edhe kapja klasike e ndërmarrjeve publike komunale nga ana e partive në pushtet.

“Tre zyrtarë të lartë të LDK-së, janë zgjedhur në pozitën e kryeshefit ekzekutiv, në tri ndërmarrje komunale, në Termokos, Prishtina Parking dhe Sport Marketing. Së fundmi jemi informuar se edhe për pozitën e kryeshefit ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Banesore, do të jetë një person i afërt me PDK-në. Kjo është në kundërshtim me zotimin e kryetarit Rama, i cili ka thënë sa ka mbaruar koha e njerëzve partiak në ndërmarrjet komunale”, ka theksuar Sveçla.

Sipas tij, për 12 muaj janë marrë vetëm disa veprime kozmetike, nga nevoja se po bëhet diçka, ku ai përmendet ngjyrosja e zebrave, largimi i shitësve ambulant te “Tregu i Gjelbër” dhe përfundimi i rrugës “Muharrem Fejza”.

Gëzim Sveçla që është edhe nënkryetar i Qendrës së VV-së në Prishtinë, ka deklaruar se komuna ka dështuar edhe në investimet kapitale, ku shquhet për realizimin e dytë më të dobët në Kosovë, pas Fushë Kosovës.

Me vërejtje për punën e kreut të kryeqytetir është edhe partia tjetër AAK.

Asamblisti nga radhët e AAK-së në Kuvendin Komunal, Bahri Gashi, ka theksuar se udhëheqja e kryeqytetit, është përcjellë me neglizhencë dhe projekte të lëna përgjysmë.

“Viti që po e lëmë pas, për Komunën e Prishtinës dhe për qytetarët tanë që jetojnë këtu, ka qenë vit më i rëndë, që është përcjellë me mos punë, neglizhencë nga kryetari dhe stafi i tij. Duke nisur projekte të vogla e duke i lënë përgjysmë”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij, ky vit është shquar edhe me përplasje mes ekzekutivit dhe komunës, ku janë kthyer shumë projekte.

“Komuna e Prishtinës ka thyer rekord në kthimin e vendimeve nga Institucionet qendrore. Ka thyer rekord edhe brenda vetes duke anuluar planet rregullative (Kalabri, Arbëri etj ), e pastaj duke i kthyer po vet prapë, anulim pa asnjë arsye, e kthimi ka qenë edhe sukses pas presioneve të opozitës, banorëve dhe disa faktorë tjerë”, ka thënë për Shqip.com, asamblisti i AAK-së.

Asamblisti i AAK-së, Bahri Gashi

Bahri Gashi, ka përmendur ngecjet e qeverisjes komunale, duke thënë se në 6-mujorin e parë, është shpenzuar vetëm 5% e buxhetit.

“Nuk ka bërë asgjë me problemin e qenve endacakë, problemi me mbeturina vazhdon. Rregullorja për taksi do të dëmtojë rreth 300 familje, pasi ka kriterer të papërballueshme për ekonomitë e tyre. Investimet në infrastrukturë janë në miniaturë, ku në 6-mujorin e parë, ka shpenzuar vetëm 5% të buxhetit, shumë pak ka bërë edhe në 6 muajt e fundit”, ka theksuar Gashi.

Tutje, si problematike vazhdon të qëndrojë edhe problemi me trafikun, ku sipas tij, janë bërë testet e njëpasnjëshme dhe pa asnjë analizë.

Nga AKR-ja e vlerësojnë periudhën e udhëheqjes së Ramës, pak premtuese.

Gëzim Mehmeti, asamblist i kësaj partie në Kuvendin Komunal, për Shqip.com, ka deklaruar se në komuna ka dështuar në shumë segmente.

“Janë dhënë shumë premtime, janë realize shumë pak. Ky vjetor nuk është premtues, ma shumë ka zhgënjim se sa realizim të atyre se çka është premtuar”, ka thënë Mehmeti.

Gëzim Mehmeti, asamblist i AKR-së

Një ndër problemet më të mëdha sipas Mehmetit është mosrealizimi i investimeve kapitale, e që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.

Endrit Zabërgja, asamblist nga partia NISMA, e ka vlerësuar me një dinamikë të ulët qeverisjen e Ramës në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës për periudhën 12 mujore ka ngecur shumë në realizimin e projekteve kapitale.

“Derisa efikasiteti matet përmes projekteve kapitale, Rama mbetet ndër kryetarët me performancën më të ulët në Kosovë, për faktin se ka realizuar jo më shumë se 9%”, ka theksuar për Shqip.com, Zabërgja.

Asamblisti i NISMA-së, Endrit Zabërgja

Ai i ka renditur disa nga problemet kryesore të Prishtinës: Pastrimi, qente endacak, trafiku i ngarkuar, infrastruktura, çerdhet e shkollat, sipas tij po mbesin në sirtar dhe se Rama, më shumë është i fokusuar në eksperimente të panevojshme për qytetarët e Prishtinës.

Ndryshe, numrin më të madh të premtimeve për mandatin e qeverisës 2021-2025 e ka dhënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me 206 premtime. Por, deri sot ai i ka realizuar vetëm 6 prej tyre.


/Shqip.com