Sport Shqiptar

Prishtina e Vushtrria fitojnë kryendeshjet

Të dielën janë luajtur dy kryendeshje në kuadër të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Prishtina ka fituar në udhëtim ndaj Rahovecit me shifrat 33:32. Vreshtarët kanë shënuar tre gola në minutën e fundit për të rrezikuar kështu fitoren e Prishtinës.

Por, rezultati megjithatë nuk u barazua. Oltion Beshiri i shënoi gjashtë gola për Prishtinën, ndërsa nga pesë i kishin Albi Gjuka, Rron Ramadani, Agon Bajqinovci, Sergio Barreto dhe Hamdi Salihu. Braziliani Marley Fernandes ishte më efikasi te Rahoveci.

Ai shënoi tetë gola. Shtatë i kishte Besmir Kusari. Me rezultat të ngushtë dhe me fitore të ekipit mysafir ka përfunduar edhe ndeshja Deçani – Vushtrria. Vushtrriasit fituan me shifrat 37:33. Egzon Ademi dhe Nemanja Drakuloviq udhëhoqën Vushtrrinë me nga 11 gola.

Fatlind Mazrekaj i shënoi 10 gola për Deçanin. Në kuadër të xhiros së dhjetë, Trepça fitoi ndaj Llapit me shifrat 53:27. Të hënën është ndeshja Vëllaznimi – Besa Famgas.

/Shqip.com