Sport Shqiptar

Prishtina e Gjilani më afër finales

photo by: @Shpend Ahmeti

Gara për Kupën e Kosovës në futboll ka hyrë në fazën përfundimtare. Sot zhvillohen ndeshjet e kthimit gjysmëfinale, në të cilat Prishtina e Gjilani janë më afër qëllimit për t’u kualifikuar në finale, shkruan Shqip.com.

Gjilani është nikoqir i Llapit në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.

Skuadra e trajnerit Zekirija Ramadani në ndeshjen e parë, në “Zahir Pajaziti” kanë fituar me rezultat 2-1, prandaj sot u mjafton edhe barazimi për t’u kualifikuar.

Me rezultat 2-1 dhe po ashtu në udhëtim, në ndeshjen e parë, ka fituar edhe Prishtina ndaj Vushtrrisë. Kryeqytetasit presin të fitojnë edhe sot në “Fadil Vokrri” dhe të sigurojnë finalen dhe eventualisht triumfin në garën e Kupës, përmes së cilës synojnë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.

Të dyja ndeshjet fillojnë në orën 15:00.

/Shqip.com