Sport Shqiptar

Prishtina bindshëm ndaj Trepçës ’89, Curri tri fitore në po aq ndeshje

Prishtina e ka shënuar fitoren e tretë radhazi nën drejtimin e trajnerit Debatik Curri, këtë herë në kampionat ndaj Trepçës ’89 me rezultat bindës 4:1.

Kryeqytetasit e kanë vazhduar serinë pozitive dhe njëkohësisht janë kthyer në mënyrën më të mirë në shtëpinë e tyre, “Fadil Vokrri”, ku nuk kanë luajtur një kohë të gjatë.

Në pjesën e parë, megjithëse vendësit patën më tepër nga loja, golin e vetëm e shënuan mysafirët, me anë të Ardian Mujës (30’) dhe në pushim shkuan me epërsi prej 1:0.

Pjesa e dytë e tëra ishte në favor të Prishtinës. Albin Prapashtica i barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 53-të, ndërsa Bujar Pllana me dy golat e tij në minutat 56 e 66 e zgjidhi në masë të madhe dilemën për fituesin e kësaj ndeshjeje.  

Pesë minuta para fundit, Shefit Shefiti e shtoi epërsinë e vendësve në 4:1, që ishte edhe rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitoreje, Prishtina mbetet në pozitën e katërt, tani me 38 pikë, dy më pak se Gjilani që renditet i treti, pozitë që mundëson pjesëmarrjen në garat evropiane.

Ndërsa, Trepça ’89 renditet e shtata me 29 pikë të tubuara. Në javën e ardhshme, Prishtina është mikpritëse e Dukagjinit, derisa Trepça ’89 luan sërish si mysafire, këtë herë ndaj Dritës.

/Shqip.com